Pas një viti me plotë momente të bukura dhe paraqitje mjaft të mira me fanellën e FC Shkupit, mesfushori Ali Adem, rikthehet te skuadra e Arisit nga Selaniku.
Adem skuadrës nga Çairi iu bashkua shkurtin e vitit të kaluar edhe atë vetëm në formë huazimi.
Ai në një prononcim për faqen zyrtare të klubit nga Çairi shprehet i lumtur që gjatë këtij viti ishte pjesë e “bardhekaltërve” dhe që pati mundësinë të luaj në ndeshje të rëndësishme.
“Kam kaluar jashtëzakonisht mirë gjatë këtij viti në Çair. Kemi arritur suksese të mëdha dhe më e rëndësishmja është që kemi arritur ti gëzojmë tifozët tanë. FC Shkupi ka histori dhe është klub i madh dhe jam i sigurtë që do të arrijë ti realizojë qëllimet e caktuara. Faleminderit stafit të klubit, kryetrajnerit, lojtarëve, kryesisë së klubit dhe në fund, faleminderit Shvercerave për përkrahjen e madhe”, tha Ali Adem për faqen zyrtare të FC Shkupit.
Për FC Shkupin Ali Adem regjistroi 30 paraqitje, duke realizuar edhe 2 gola. Ndërkohë shumë shpejtë si duket kanë reaguar drejtuesit e kampionëve vjeshtor, të cilët kanë vendosur ta angazhojnë mesfushorin shqiptarë të Akademia Pandev, Besnik Feratin. (infOSport.mk)