Kukësi tenton goditjen e bujshme në merkaton e janarit. Orët e fundit ka dalë në skenë emri i italianit, Sebastian Xhiovinkos, ish-fantazistit të Juventusit dhe kombëtares italiane, i cili mund t’i bashkohet skuadrës nga Verilindja e Shqipërisë. Burime të rezervuara të “Panorama Sport”pranë kampit kuksian konfirmojmë se nuk bëhet fjalë thjesht për një fantazi merkatoje, por një mundësi reale, edhe pse normalisht shanset janë të pakta për ta bindur që një lojtar i këtij kalibri të luajë në futbollin shqiptar.
Detyra për të negociuar i takon trajnerit Diego Longo, i cili ka edhe një njohje personale me lojtarin, pasi e ka trajnuar gjatë sezonit 2019-2020 tek Al Hilal në Arabinë Saudite, ku trajneri aktual i Kukësit luante rolin e zv.trajnerit.
Gazeta zbulon ekskluzivisht se fillimisht ka pasur një bisedë paraprake të Longos me Xhiovinkon rreth shanseve që ky i fundit të shohë si mundësi edhe ardhjen në kampionatin shqiptar.
Gjithsesi, fillimisht lojtari që mbush 35 vjet më 26 janar, nuk e ka konsideruar si mundësi, duke qenë se bëhet fjalë për një kampionat që nuk e stimulon shumë, por jo gjithçka mund të konsiderohet e mbyllur.
Komunikimi fillestar është bërë dhe “grepat” janë hedhur për të parë edhe se deri ku qëndron dëshira e lojtarit.
Burimet në klub tregojnë se për momentin ish-mesfushori i Juventusit nuk ka thënë një “jo” përfundimtare, ndaj në Kukës shpresojnë që të nisin sa më parë edhe bisedimet zyrtare, për t’u ndalur më pas edhe te termat ekonomikë.