Milani ka vazhduar me formën e mirë, teksa sot regjistroi edhe fitoren e tretë rradhazi në Serie A, duke i marrë përkohësisht vendin e parë Interit, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e Stefano Piolit mundi bindshëm 3:0 Venezian në udhëtim, duke regjistruar kështu fitoren e 15-të nga gjithsej 21 ndeshje të zhvilluara.
Zlatan Ibrahimoviç vetëm pas dy minutuave lojë zhbllokoi rezultatin, falë një pasimi tepër të saktë të Leao, me suedezin i cili nuk mund të gabonte nga afërsia.
Ishte ky goli i vetëm i 45 minutave të para, ndërsa në të dytën vetëm pas 3 minutave të kaluara, Teo Hernandez shënoi edhe golin e dytë. Edhe në këtë gol asistoi portugezi Leao, që bashkë me Ibrahimoviç sot udhëhoqën vijën sulmuese të “kuqezinjëve” që nga minuta e parë.
Golin e tretë Milani e gjeti në minutën e 59-të sërish me anë të Teo Hernandez, i cili doli të jetë i saktë nga penaltia, për të cilën me të kuq te skuadra vendase, për shkak lojës me dorë u ndëshkua Svoboda.
Me këtë fitore Milani arriti në kuotën e 48 pikëve, duke lënë pas vetes Interin që ka 46 pikë dhe dy ndeshje më pak. (infOSport.mk)