Ndeshja e javës së 20-të në Serie A midis Lacios dhe Empolit u mbyll me një barazim spektakolar 3:3, me Lacion që i shpëtoi disfatës fare në fund, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja nisi për mrekulli për mysfairët e Empolit, të cilët shënuan dy gola brenda 8 minutave të para.
Golin e parë e realizoi tetovari, Nedim Bajrami, në minutën e 6-të nga penaltia.
Në këtë gol ishin protagonistë tre futbollistët shqiptarë. Fajtor për golin e parë të Empolit ishin Elseid Hysaj dhe Thomas Strakosha.
Hysaj në tentim për ta kthyer një top me kokë në drejtim të Strakoshës, gaboi duke e detyruar Strakoshën të del nga porta. Gardiani i kombëtares shqiptare nuk arriti në kohë dhe shkaktoi penaltinë.
Nuk kaluan as dy minuta mirë dhe Empoli shënoi golin e dytë në rrjetën e Strakoshës, këtë herë me autorë Zurkovski.
Edhe në këtë gol ishte i përfshirë futbollisti shqiptarë, Nedim Bajrami, që po zhvillon një super sezon me Empolin. Goli i sotëm ndaj Lacios për Bajramin ishte i 5-ti sezonal.
Immobile me golin e shënuar në minutën e 14-të riktheu Lacion në lojë, duke i hapur rrugë golit të Milinkoviç Saviç në minutën e 66-të, kur vendasit arritën që të rikthehen në lojë dhe të barazojnë rezultatin në 2:2.
Megjithatë Empoli nuk u dorëzua dhe në të 75-tën përmes Di Françeskos kaloi sërish në epërsi, këtë herë me shifrat 2:3.
Drama e vërtetë ndodhi në minutat në vazhdim. Në minutën e 78-të Lacios iu anulua një gol, derisa në të 87-tën Immobile humbi mundësinë që nga penaltia të barazonte shifrat. Dhe kur të gjithë menduan se “lacialët” do të pësojnë disfatë dhe se Empoli do ti hakmeret për atë disfatë në ndeshjen e parë të këtij sezoni, në skenë te Lacio doli sërish Milinkoviç – Saviç, i cili në minutën e 93-të barazoi rezultatin në 3:3, që njëherit ishte edhe rezultati përfundimgtarë i këtij takimi.
Për Lacion nga minuta e parë luajtën dy reprezentuesit shqiptarë, Thomas Strakosha në portë dhe në mbrojtje Elseid Hysaj, ndërsa në bankën rezervë mbeti sërish sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi.
Në anën tjetër te Empoli që nga minuta e parë u paraqitën Ardian Ismajli dhe Nedim Bajrami, derisa në bankën e rezervistëve mbetën Samir Ujkani dhe Kristian Asllani.
Pas këtij barazimi, Lacio me 32 pikë renditet në pozitën e 8-të, ndërkohë Empoli me 4 pikë më pak renditet një pozitë më poshtë.
Në dy ndeshjet tjera të ditës së sotme, Kaljari edhe përkundër disavantazhit që kishte në fund mundi Sampdorian në udhëtim me shifrat 2:1, ndërsa me po të njëjtin rezultat Verona mundi Specian. (infOSport.mk)