Ekipi i Gostivarit që në sezonin e ri do të garojë në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë, edhe zyrtarisht ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, ku shpreson të vazhdojë me ritmin e njëjtë, aty ku edhe e përfundoi sezonin e kaluar, kur me stil u kualifikua në një rang të garave më lartë.
Ata që disa xhiro para përfundimit të kampionatit në Ligën e Tretë Perëndim kishin siguruar pozitën e parë, në të cilën shpresojnë të dalin edhe sezonin 2017/2018, mirëpo kësaj rradhe në Ligën e Dytë Perëndim.
Dhe kjo gjë është më se e arritshme, nëse bazohemi në prurjet e reja të kësaj skuadre, që ka përforcuar skuadrën në të gjitha repartet.
Pas largimit të Hadis Veli, që nënshkroi marrëveshje me Renovën, drejtuesit e Gostivarit, portën ia besuan ish portierit të Rabotniçkit dhe Shkëndijës, , Tigran Kandikijan. Ai te Gostivari vjen nga rradhët e Makedonija Gjorçe Petrovit, ndërsa në Maqedoni, përveç skuadrave të lartëpërmendura, gjithashtu ka veshur edhe fanellën e Maxhari Solidarnostit dhe EuroMilkut.
Portieri me origjinë armene, gjithashtu gjatë karrierës së tij ka qenë pjesë e skuadrave të Pjunik Erevan dhe Ulisses.
Një tjetër futbollistë me përvojë të madhe në futbollin vendor dhe atë ndërkombëtarë që ka vendosur të përforcojë rradhët e Gostivarit, është edhe Filip Despotovski, një ish reprezentues, përvoja e të cilit do të jetë e mirëseardhur, edhe atë shumë në mesfushën e skuadrës së trajnerit, Mmensur Jakupi.
Ai te Gostivari vjen nga rradhët e Akademia Pandev, ndërsa në Maqedoni gjithashtu ka qenë pjesë edhe e skuadrave të mëdha, si Rabotniçki dhe Vardar. Në arenën ndërkombëtare, ai ishte pjesë e kampionateve në Serbi, Greqi, Ukrainë dhe Azerbajxhan.
Një përforcim tjetër në mesfushë, është edhe ai i Slavço Vellkovskit, që vjen nga rradhët e Bregallnicës. Bëhet fjalë për një futbollist 29-vjeçar, i cili mjaft mirë mbulon edhe pjesën difenzive. Ai shihet si një urë lidhëse mes mbrojtjes dhe mesfushës, ashtu që eksperienca e tij e madhe në elitën e futbollit tonë vendor do të jetë e mirëseardhur për skuadrën e Gostivarit.
24-vjeçari Hristijan Grozdanoski që vjen nga Novaci, do të jetë një përforcim i madh në mbrojtjen e Gostivarit, derisa sulmin pritet ta udhëheq ish sulmuesi i Bellasicës, Boban Mariq, së bashku edhe me futbollistin e talentuar, Bashkim Lama, i cili te Gostivari vjen në formë huazimi nga Shkëndija, njëjtë sikurse edhe mesfushori, Ersin Fetahi.
Ndër futbollistët e larguar nga Gostivari, që sezonin e kaluar ndihmuan skuadrën për tu ngjitur në Ligën e Dytë, janë Mensur Idrizi, Briliant Syla, Sunaj Hasan, Xhevat Shaqiri dhe portieri, Hadis Veli.
Janë gjitha këto hyrjet dhe daljet te skuadra e Gostivarit, që nuk e ka dhënë fjalën e fundit, kur është në pyetje përforcimi i skuadrës, që dëshiron në mënyrë eksprese të rikthehet edhe në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.