Romelu Lukaku nuk lëviz nga Çelzi as në janar, e as gjatë verës. Ky është vendimi që ka dalë nga mbledhja e zhvilluar sot në ambientet e klubit londinez mes drejtuesve të skuadrës dhe futbollistit, pas pakënaqësive të këtij të fundit.
Sipas “Sky Sport” në Angli, edhe pse klubi është i pakënaqur me mënyrën se si Lukaku ka pranuar publikisht se do të dëshironte të kthehej në Itali, “blutë” nuk duan që të heqin dorë nga një futbollist për të cilin kanë bërë një sakrificë të jashtëzakonshme financiare.
Nga ana tjetër, edhe Lukaku duket se është zbutur në qëndrimin e tij për të ardhmen në Londër dhe ka shprehur gatishmërinë që tani e tutje të flasë vetëm në fushën e lojës.
Tani mbetet për t’u parë se çfarë masash të tjera disiplinore do të marrë klubi ndaj sulmuesit belg, pasi përjashtimi për ndeshjen ndaj Liverpullit ishte vetëm një prej hapave. Atij do t’i duhet shumë punë për të fituar besimin e trajneri, Tomas Tushel, e sidomos shokëve të skuadrës të cilët raportohet se kanë mbetur të çuditur nga reagimi i tillë i sulmuesit.