Musliu: Ndaj Malmes do japim më të mirën

Visar Musliu, i cili gjatë kësaj merkatoje vere vendosi të përforcojë rradhët e kampionëve në fuqi të Vardarit, në një prononcim për “infOSport.mk” ka shpalosur pritjet e tij për këtë ndeshje shumë të rëndësishme, ku skuadra shkupjane këtë vit pretendon të kalojë disa xhiro.

Kundërshtarë i “kuqezinjëve” në ndeshjen e Ligës së Kampionëve është skuadra suedeze e Malme, një emër i njohur në futbollin evropian, duke pasur parasysh se eksperienca e tyre në këto gara është shumë më e madhe se ajo e Vardarit. Megjithatë edhe përkundër këtij fakti, mbrojtësi nga Gostivari, Musliu shprehet optimist, duke premtuar se të gjithë futbollistët do të japin maksimumin që në fund të nxjerrin një rezultat pozitiv.

“Në Malme të Suedisë na pret një ndeshje mjaftë e vështirë, pasi kemi të bëjmë me një skuadër mjaft kualitative dhe me përvojë në kompeticionet më të mëdhaja evropiane për klube. Megjithatë ky fakt nuk na bënë neve inferior, por përkundrazi do japim maksimumin që të nxjerim një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje e parë” – tha për “infOSport.mk”, Visar Musliu.

Ndeshja midis Malmes dhe Vardarit në program është të mërkurën me fillim në ora 19:00 në “Swedbank” stadium.

Foto: fkvardar

Leave a Reply