Armend Alimi i thotë “po” Rabotniçkit!

Pas largimit nga Shkëndija, emri i Armend Alimit është një ndër emrat më të përfolur në merkaton e dimrit që ende nuk ka filluar zyrtarisht në futbollin vendor. Mesfushori kumanovar fillimisht u përfol për një transferim të mundshëm te FC Shkupi, më pas emri i tij u ndërlidh me Ksantin në Greqi, aty ku më parë u transferua Besart Ibraimi, ndërsa së fundmi, gjithnjë sipas gazetarit të “news-tv.mk”, Reshat Ibraimit, Alimi do të vazhdojë karrierën te Rabotniçki.

Sipas të njëjtit burim, Alimi te “romantikët” pritet të prezantohet gjatë ditës së sotme (e premte) dhe i njëjti do të firmos kontratë një vjeçare.

Vlen të ceket se Alimi me Shkëndijën kishte konratë deri verën e vitit 2022, ndërsa e njëjta u ndërpre 6 muaj më herët, kjo edhe me kërkesë të trajnerit Bruno Akrapoviç, që nuk llogariste në shërbimet e kumanovarit, një ndër mesfushorëve më të mirë që ndonjëherë ka luajtur në futbollit elitar në vend.

Rabotniçki me angazhimin e Alimit do të përfitonte një super lojtar, i cili do të bëhej një lider në mesfushën e “romantikëve” gjatë stinorit pranveror, aty ku skuadra shkupjane do të tentojë të bëjë më të mirën dhe të ngjitet sa më lartë në renditje.

Pas 18 xhirove të para Rabotniçki me 22 pikë të tubuara renditet në pozitën e 8-të. (infOSport.mk)

Leave a Reply