Shkëndija klubi më i mirë nga Maqedonia, FC Shkupi nuk do jetë bartës në eliminatoret e Ligës së Kampionëve

UEFA ka publikuar renditjen më të re në nivel klubesh para fundit të vitit 2021, e ku ashtu edhe siç pritej, Shkëndija rezulton të jetë skuadra më mirë e ranguar nga vendi ynë, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra kuqezi nga Tetova renditet në pozitën e 134-të me koeficientin 9.000, ndërkohë lideri akual në futbollin tonë elitarë, FC Shkupi ndodhet në pozitën e 275-të. Edhe përkundër faktit se 4 vite me rradhë “bardheblutë” nga Çairi po luajnë në skenën ndërkombëtare, ata sërish kanë një koeficient të vogël.

Kësisoj skuadra nga Çairi nëse shpallet kampion do të luaj në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, mirëpo do të jetë në grupin e atyre skuadrave që nuk do të jenë bartëse.

Skuadra e tretë më mirë e renditur nga Maqedonia në renditjen e UEFA-s, është Vardari. Skuadra ish kampione e vendit që aktualisht garon në Ligën e Dytë – Perëndim, ndodhet në pozitën e 349-të, për të vijuar më pas Sileksi në vendin e 355-të, Renoa (410),  Rabotniçki (411), Struga Trim Lum (413), Makedonija GJ.P (418) dhe Akademia Pandev (419)

Klubi numër një në Europë është Bajerni i Munihut, skuadër kjo që lë pas 3 skuadrat angleze, Mançester Siti,  Liverpull dhe Çelzi, teksa Real Madridi renditet në pozitën e 5-të.

TOP10-shi mbyllet me skuadrat, si: PSZh (6), Barcelona (7), Juventus (8), Mançester Junajted (9) dhe Atletiko Madrid (10).

Leave a Reply