
Struga Trim Lum sot në Tetovë zhvilloi ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë kundër Shkëndijës. Edhe përkundër disavantazhit që kishte gjatë pjesës së parë, Struga Trim Lum falë dy golave të shënuar nga Hogan Ukpa dhe Marjan Radeski, në fund nga Tetova u largua me fitore 2:1, duke rritur dukshëm gjasat që për herë të dytë në historikun e saj të luaj në një finale të Kupës së Maqedonisë.
Ndeshja u zhvillua pa praninë e publikut, ndërsa kjo bëri që gjithçka të kaloj pa shumë zhurmë, edhe pse në ndeshjet mes këtyre dy skuadrave, kur edhe stadiumi ka qenë i stërmbushur me tifoz, asnjëherë nuk kemi qenë dëshmitarë të ndonjë incidenti.
Megjithatë një i tillë ndodhi sot, mirëpo jashtë stadiumit, e që realisht nuk kishte të bëjë me futbollin aspak, e aq më pak me Shkëndijën dhe tifozët tetovar.
Nga persona ende të panjohur, ishte sulmuar Marjan Radeski i Struga Trim Lum. Mjaftoi një sulm i këtillë, që disa nga mediat në vend të shkruajnë për një skandal të ndodhur në Tetovë, duke i hedhur fajin skuadrës organizatore, Shkëndijës dhe tifozëve të kësaj skuadre.
Megjithatë e vërteta ishte krejt ndryshe, ndërsa neve si “infOSport.mk”, në kohën e duhur informuam lexuesit tanë për incidentin e ndodhur në mënyrë korrekte dhe pa e devijuar aspak.
Më vonë një gjë të tillë bënë edhe nga klubi i Struga Trim Lum, që në mënyrë shumë profesionale njoftuan për incidentin e ndodhur gjithë opinionin sportiv.
Më poshtë ju sjellim edhe reagimin e plotë të kampionëve në fuqi të Struga Trim Lum, që në këtë mënyrë demaskuan mediat maqedonase në vend lidhur me incidentin që kishte ndodhur me futbollistin e tyre, Marjan Radeski:
Sqarojmë opinionin publik se incidenti i shkaktuar sot ndaj lojtarit tonë Marjan Radeski pas ndeshjes kundër Shkëndijës, edhe pas sqarimit të vetë lojtarit në organet e rendit, nuk ka lidhje aspak me futbollin në përgjithësi apo aq më pak me KF Shkëndija e Tetovës, e as me tifozërinë.
Gjejmë rastin të falemnderojmë ekipin pritës, që si gjithmonë kujdeset për mikpritjen e klubit, kryesisë dhe tifozërisë tonë.
Gjithashtu, bëjmë thirrje edhe për #mediat të kenë përgjegjësi shtesë në të gjitha lajmet ku preket integriteti i secilit pa u komfirmuar mirë burimi i informacionit.