Vashat e Kosovës mundin me rezultat bindës ata të Maqedonisë së Veriut

Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencë të femrave e ka mposhtur sërish Maqedoninë e Veriut, kësaj radhe në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me rezultat 3:0, në kuadër të Grupit “C6” të Ligës së Kombeve.

Në pjesën e parë të dyja skuadrat krijuan raste për gol, mirëpo duke mos arritur ti konkretizojnë.

Ishin vashat “verdhekuq” që u kanosën të parat, duke qëlluar transverzalen e “Dardaneve”, që në çerekun e parë, derisa në anën tjetër Modesta Uka qëlloi tërthorësen.

Gentiana Roçi në minutën e 28-të tentoi portën e “Dardaneve”, por që Alma Demiri me super pritjen e saj i pamundësoi avantazhin Maqedonisë së Veriut.

7 minuta më vonë edhe Gentiana Fetaj realizoi një gjuajtje të mirë por që topi përfundoi sërish në tranzverzale.

Në minutën e 43-të edhe Lumbardha Misini provoi nga distanca por topi kaloi pranë portës, derisa rezultati mbeti i njëjti dhe pjesa e parë u përmbyll pa gola.

Në pjesën e dytë Kosova ishte më kërkuese dhe më efikase. Që në start të pjesës së dytë, rodhi një aksion i suksesshëm për Kosovën. Pasimi i mirë i Ukës drejt Kaltrina Biqkaj ishte kombinim që solli fryt, kur kjo e fundit e çoi topin në rrjetë, për 1:0.

Golin e dytë Kosova e gjeti në minutën e 65-të, kur 9-shi i Kosovës Kaltrina Biqkaj shënoi për 2:0.

Edhe pas këtij avantazhi prej dy golave, “Dardanet” vazhduan të krijonin raste, teksa e rradhës që tentoi të shënoj, ishte Donjeta Halilaj.

Erëleta Memeti ishte e rradhës që gjithashtu ishte shumë pranë golit, mirëpo pa arritur të shënoj, derisa kjo e fundit tregoi vlerat e saj në fund të takimit kur në minutën e 85-të realizoi pas asistimit të Kaltrina Biqkaj, duke vendosur rezultatin përfundimtar, Kosova 3, Maqedonia 0.

Ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit “C6” të Ligës së Kombeve, Kosova do ta zhvillojë në qershor kundër Letonisë, ku vetëm fitorja kryen punë sa i përket realizimit të objektivit për promovim në Ligën B.

Leave a Reply