
Kombëtarja shqiptare e futbollit në ndeshjen e dytë të saj në kuadër të eliminatoreve për kualifkim në Botërorin e vitit të ardhshëm, morri fitoren e saj të parë, duke mundur Andorrën me shifrat 3:0, njofton “infOSport.mk”.
Ekipi i Silvinjos ishte favorit edhe para fillimit të takimit, ndërsa një gjë të tillë, djelmoshat “kuqezi” dëshmuan edhe në fushën e blertë, aty ku fjalën kryesor gjatë 45 minutave të para, e pati sulmuesi i Sivasporit turk, RejManaj.
Lushnjari shënoi të dy golat brenda pjesës së parë, edhe atë në një interval kohor prej vetëm 10 minutash.
Fillimisht në minutën e 9-të realizoi me kokë, pas harkimit të Kristjan Asllanit nga goditja e lirë, derisa në minutën e 19-të, kurorëzoi aksionin individual të Armando Brojës, që bëri shumë mirë në zonën kundërshtare, teksa në momentin e duhur pasoi për Manajn, që edhe njëherë tjetër kreu në mënyrën më të mirë detyrën e tij, kur është në pyetje goli.
Manaj në një farë mënyre kontribuoi edhe në golin e tretë të shënuar nga Myrto Uzuni, kur e asistoi këtë të fundit nga afër pas harkimit nga e majta e Arbër Hoxhës.
Me golin e Uzunit të shënuar në minutat shtesë, ndeshja u mbyll me një fitore të pastërt dhe të thellë të Shqipërisë, që pas dy xhirove ndodhet në pozitën e dytë në grupin “K”, aty ku me pikë maksimale udhëheq Anglia, që sonte mundi Letoninë, po me rezultatin 3:0. (infOSport.mk)