
Vardari ka arritur që të nxjerrë barazimin e parë këtë edicion në përballjet ndaj Shkëndijës, që në dy ndeshjet paraprake kishte shënuar fitore 4:0, gjegjësisht 2:1. Pikërisht fitorja e fundit që është shumë e freskët në Shkup, bënte që shumë tifoz “kuqezi” të besojnë sërish tek fitorja e skuadrës së tyre të zemrës, megjithatë në fund Shkëndija barazoi me rezultatin 1:1, duke ju dhënë mundësi ekipeve të kreut për t’iu afruar edhe më shumë, shkruan “infOSport.mk”.
Skuadra e Jeton Beqirit ishte kundërshtarë më i mirë në fushë dhe krijoi rastet më të mira për gol, megjithatë në fund duheshe të pajtohet me vetëm një pikë nga kjo transfertë e vështirë.
Shkëndija avansoi me eurogolin e Reshat Ramadanit në minutën e 21-të, kur me një predhë të vërtetë bëri që i gjithë stadiumi të hesht, mirëpo nuk vonoi shumë dhe vetëm 4 minuta më pas, Ediz Spahiu, një ish futbollistë i Shkëndijës, arriti të shënojë në rrjetën e Amzait për barazim të rezultatit në 1:1.
Edhe përkundër dëshirës së madhe për fitore, futbollistët e Shkëndijës nuk arritën të mposhtin edhe njëherë tjetër Taleskin, ndërsa ajo që në disa raste prishi këtë derbi, tashmë si zakonisht, ishin thirrjet e tifozëve të Vardarit në baza nacionale kundër shqiptarëve.
Pas këtij barazimi, Shkëndija vazhdon të kryesojë renditjen me 50 pikë, plotë 28 pikë më shumë se rivali i sotëm, Vardari. (infOSport.mk)