
Rabotniçki ka regjistruar fitore minimale, mirëpo shumë të rëndësishme në ndeshjen e fundit të javës së 23-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”. Skuadra e trajnerit Goran Staniq si vendas në terrenin kryesor të FFM-së, mundi Tikveshin me rezultatin 1:0. Goli i vetëm i këtij takimi u shënua nga Anes Rusheviç nga penaltia, edhe atë në minutën e fundit të pjesës së parë.
NDESHJET TJERA
Kujtojmë, dje u zhvilluan edhe 5 takime tjera të kësaj jave, e ku u regjistruan disa rezultate befasuese. Besa e Dobërdollit në Çair mundi FC Shkupin me shifrat 3:2, duke mos u dorëzuar në luftën për mbijetesë.
Një rezultat i tillë befasues mund të konsiderohet edhe ai në stadiumin e Maxharit në Shkup, aty ku AP Brera barazoi 2:2 përballë favoritit, Gostivarit, derisa Vardari me një gol të shënuar në minutën e 5-të shtesë prej 90-të minutave, arriti që të barazojë dhe të marrë një pikë shumë të vlefshme kundër Sileksit në luftën për mbijetesë.
Struga Trim Lum falë golit të Hristijan Maleskit në minutën e 87-të mundi Voska Sport, duke besuar ende tek titulli, edhe pse për momentin ka plotë 11 pikë më pak se skuadra kryesuese e Shkëndijës.
Këta të fundit në Tetovë para tifozëve të tyre mundën Pelisterin 1:0, ndërsa edhe njëherë tjetër rolin e heroit doli ta luaj veterani Besart Ibraimi, që në minutën e 73-të gëzoi tifozët “kuqezi”.
Ishte ky goli numër 11 për Besart Ibraimin këtë edicion, duke vijuar të udhëheq listën e golashënuesve.