Fisniku, djali i dëshmorit Harun Aliu, futet në historinë e futbollit të Maqedonisë

KF Fortuna vazhdon me shënimin e rekordeve në futbollin vendor. Këta në ndeshjen me Besën e Sllupçanit (Liga e Tretë- Veri), pësuan disfatë 4:3, por kjo ndeshje kaloi në shenjë të një feste dhe rekordi të ri.

Një nga momentet më emocionuese të sfidës ishte debutimi i talentit të Fortunës së Hasanbegut, Fisnik Aliu (djali i dëshmorit Harun Aliu – Kushtrimi).

Në minutën e 78-të, me vetëm 16 vjet, zëvendësoi Alban Aliun dhe me këtë hyri në historinë e futbollit të Maqedonisë.

“Dhuratë më të mirë për ditëlindje as që mund të kisha marrë, se debutimi i së shtunës me Fortunën. I falënderoj të gjithë te KF Fortuna, për  mbështetjen që po ma japin brenda dhe jashtë fushës.” – tha mbrojtësi 16-vjeçar.

Ky është një sinjal i qartë se Fortuna, iu kushton një vëmendje të posaçme zhvillimit dhe prodhimit të talentëve premtues për të ardhmen. Aliu, tani është pjesë e historisë së futbollit të Maqedonisë, pasi me 16 vjet debuton në fanellën e seniorëve. Rekordin e deritanishëm në futbollin e Maqedonisë, e mbante Dashmir Elezi i Shkëndijës, me 16 vjet e 1 ditë.

Ndryshe Liga e Tretë në Maqedoni, luhet nën ëmbrellën e FFM-së dhe për këtë shkak ky llogaritet si futbolllisti më i ri në moshë që ka debutuar tek seniorët.

Këtë rekord tash e tutje vetëm mund të barazohet në të ardhmen. Pas përfundimit të ndeshjes në fjalë të dyja skuadrat festuan ditëlindjen e Fisnik Aliut.

Përndryshe KF Fortuna nga Hasanbegu, në këtë sezonë po luan me ekipin më të ri në moshë në të gjitha ligat e vendit, me një mesatare prej 19.8 vjet.

Leave a Reply