Lavdrim Skenderi i jep fund karrierës futbollistike

Në moshë 31-vjeçare, Lavdrim Skenderi ka vendosur ti thotë mjaft futbollit aktiv, pjesë e së cilës në mënyrë profesionale ishte për plotë 13 vite. Gjithçka kishte nisur vitin 2001 me Renovën, me të cilën skuadër në vitin 2012 kishte fituar edhe trofeun e vetëm të karrierës, atë të Kupës së Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.

I njëjti një kohë ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses U19 të Maqedonisë dhe asaj U21, ndërsa në elitën e futbollit vendor numëron plotë 129 ndeshje, 12 gola të shënuar dhe  8 asiste. Skenderi me Renovën gjithashtu kishte luajtur edhe në kupat europiane, duke shënuar madje një gol, ndërsa i njëjti përveç që kishte provuar veten të luaj edhe në Ligën e Dytë dhe të Tretë, një periudhë kishte luajtur edhe në Superligën e Kosovës, me skuadrën e Ferizajit.

Ndryshe, gjatë karrierës së tij, Skenderi kishte provuar veten të luaj edhe me Gostivarin, Teteksin, Besën e Dobërdollit, teksa së fundmi ishte pjesë e Vëllazërimit të Kërçovës.

Skenderi lajmin për tërheqjen e tij nga futbolli aktiv, e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social në facebook.

Postimi i plotë i Lavdrim Skenderit:

Pas shumë viteve të përkushtimit, sakrificave dhe emocioneve të paharruara në fushë, është koha të mbyll këtë kapitull të jetës sime.

Futbolli nuk ka qenë vetëm një sport për mua, por një mënyrë jetese, një pasion që më ka formuar si njeri. Jam mirënjohës për çdo moment, çdo fitore, çdo humbje dhe çdo mësim që kam marrë gjatë këtij rrugëtimi.

Falënderoj nga zemra familjen time për mbështetjen e pakushtëzuar, shokët e ekipit për çdo betejë të fituar dhe të humbur bashkë, trajnerët që më kanë udhëhequr dhe të gjithë tifozët që më kanë dhënë forcë në çdo ndeshje. Pa ju, ky rrugëtim nuk do të kishte qenë i njëjtë.

Edhe pse larg fushës si lojtar, dashuria për futbollin do të mbetet gjithmonë pjesë e imja. Ky nuk është një fund, por fillimi i një kapitulli të ri.

Me mirënjohje dhe respekt,

Lavdrim Skenderi

Leave a Reply