
Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Masar Omeragiq, së bashku me Drejtorin Gjeneral, Drilon Ganiu, po marrin pjesë në takimin rajonal të UEFA-s, i cili po mbahet në Sarajevë me përfaqësuesit e federatave të futbollit nga vendet e Ballkanit.
Ky takim i rëndësishëm për futbollin e rajonit po zhvillohet në praninë e presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin.
Fillimisht, të pranishmëve mirëseardhje iu uroi presidenti i Federatës së Futbollit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Vico Zhelkoviq, ndërsa më pas me një fjalë rasti iu adresua vetë presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin.
Në këtë takim, ku po marrin pjesë edhe Kryetari i Federatës shqiptare të futbollit, Armando Duka, dhe ai i Kosovës, Agim Ademi, po diskutohen çështje të rëndësishme që ndërlidhen me zhvillimin e futbollit në rajon, përfshirë:
- Rishikimin e Programit HatTrick
- Mbështetjen teknike për federatat kombëtare
- Luftën kundër trukimit të ndeshjeve
- Qeverisjen e futbollit dhe transferet e lojtarëve
- Rishikimin e fazës së ligës në garat e klubeve të UEFA-s 2024/25
Gjatë diskutimeve u bë e ditur se UEFA do të aplikojë më shumë fleksibilitet në raport me fondet e programit “HatTrick”, duke i përshtatur ato sipas nevojave të federatave dhe projekteve të tyre specifike.
Ndërkaq, sa i përket luftës kundër trukimit të ndeshje u tha se UEFA do të jetë edhe më vigjilente dhe do të ketë edhe më shumë njerëz dhe organizma që do të rikordinohen edhe me organet shtetërore të federatave përkatëse përmes zyrtarëve të integritetit të garave.
Në këtë pikë u tha se nëse UEFA e vlerëson do të ketë edhe dënime e sanksione të ashpra, me qëllim të ruajtjes së integritetit të futbollit dhe garave.
Një diskutim i gjerë u zhvillua edhe sa i përket transferimit të lojtarëve nga klubi në klub. U diskutua që të mbrohen klubet dhe të u mundësohet apo të mos ju anashkalohet e drejta e dëmshpërblimeve nga klubet që blejnë futbollistin, sepse kjo e hyrë konsiderohet si e hyrë qendrore për ekipet e federatave të vogla, e ku hyjnë federatat e këtij regjioni, siç është edhe Federata e Futbollit të Maqedonisë.
Me këtë rast, u theksua nevoja që të ketë më shumë kujdes dhe që FIFA dhe UEFA të gjejnë mekanizma për të mbrojtur klubet, që ato të mos humbin këtë mundësi, pasi që klubet e këtij regjioni burimet kryesore i kanë nga fondet e UEFA-s, e po ashtu nga solidariteti, investitorët dhe sponsorët e ndryshëm, teksa në pjesën tjetër të Evropës biletat dhe të drejtat televizive përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave. Në fund, u bë e qartë se faza e ligës në garat evropiane do të jetë me format të ri, ku synohet të sjellë më shumë konkurrencë dhe përfitime për klubet.