Shabani: Kemi forcë dhe besim për të kaluar tutje në ndeshjet e Kupës

Kapiteni i Struga Trim Lum, Bunjamin Shabani ka folur në prag të takimit shumë të rëndësishëm çerekfinal të Kupës së Maqedonisë, kundër Gostivarit, njofton “infOSport.mk”. Është njëherit kjo ndeshja më interesante e kësaj faze, në të cilën Struga Trim Lum futet për të marrë më të mirën, me besim të plotë se mund të prekin finalen e madhe.

“Na pret një ndeshje shumë e rendësishme, në të cilën futemi pas disa rezultateve jo të mira. Megjithatë ato i takojnë së kaluarës dhe duhet ti harrojmë sa më shpejtë dhe të mobilizohemi tashmë për ndeshjen që na pret, ajo kundër Gostivarit. Besoj se do të japim gjithçka nga vetja për t’ia arritur qëllimit në këtë ndeshje. Luajm ndaj një skuadre shumë kualitative, kemi respekt për Gostivarin, mirëpo neve na nevojitet fitorja për të rikthyer vetëbesimin dhe mbi të gjitha të kapim një seri të rezultateve pozitive” – u shpreh Bunjamin Shabani, i cili i pyetur nëse janë gati për të sjellë trofeun e Kupës në Strugë, u përgjigj:

“Mendoj se kemi kualitet për të bërë një gjë të tillë, megjithatë mendoj se duhet ti marrim ndeshjet një pas një. Për ne është shumë e rëndësishme për të kaluar Gostivarin në këtë fazë, e më pas të mendojmë edhe për fazën përfundimtare të Kupës, por gjithsesi edhe në kampionat, aty ku ende nuk e kemi dhënë fjalën e fundit, duke pasur parasysh se deri në fund ka edhe shumë ndeshje për tu zhvilluar”.

Do të jetë kjo hera e parë që Struga Trim Lum dhe Gostivari do të takohen në kuadër të Kupës, teksa numërojnë gjithsej 10 përballje deri më tani, edhe atë 5 nga ndeshjet e Ligës së Parë dhe 5 në kuadër të Ligës së Dytë. (infOSport.mk)

Leave a Reply