Derbi Shkëndija-Sileksi arsyeton epitetin, Besart Ibraimi shënon sërish (VIDEO)

Shkëndija ka mundur me shifrat 4:2 Sileksin, duke regjistruar fitoren e 12-të sezonale. Sileksi e nisi më mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi që në minutën e 5-të, falë golit të shënuar nga sulmuesi Adi Aliç.

Shkëndija u kundërpërgjigj shpejtë, duke mos i dhënë fare hapësirë për gëzim skuadrës nga Kratova. Tamba, që kishte nisur këtë ndeshje si titullarë, nga e djathta harkoi për tokë në shtyllën e parë, aty ku Vane Krstevski me shumë klas, duke shënuar me thembër barazoi shifrat në 1:1.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën Shkëndija ishte shumë më dominuese, duke kurorëzuar lojën e mirë me tre gola.

Ishte rezervisti Florent Ramadani që freskoi edhe më shumë mesfushën, aty ku Shkëndija nuk i lejoi fare hapësirë kundërshtarit, teksa pikërisht ky futbollistë në minutën e 63-të kaloi për herë të parë në epërsi Shkëndijën në këtë ndeshje.

Ky gol ju dha edhe më shumë vetëbesim futbollistëve “kuqezi” në fushën e blertë, aty ku nuk mungoi edhe njëherë tjetër mjeshtëria dhe goli i Besart Ibraimit, që para ndeshjes ishte nderuar nga drejtuesit e ekipit me një fanellë me numrin 150, që asoscon në golat e tij të shënuar me fanellën e Shkëndijës.

I njëjti shënoi edhe sot kundër Sileksit në minutën e 77-të, edhe atë në manirin e golashënuesve të mëdhenj të futbollit botëror, duke prekur kështu shifrën e 151 golave “kuqezi”.

Në minutën e 82-të Sileksi tentoi të rikthehet në lojë me golin e shënuar nga Rajkov, mirëpo ishte Liridon Latifi që me një lëvizje të bukur dhe goditje precize nga brendia e zonës kundërshtare, i ndihmuar edhe nga portieri kundërshtarë, shënoi edhe golin e katërt për Shkëndijën.

Ishte ky goli debutues i ish reprezentuesit të Kombëtares shqiptare me fanellën e Shkëndijës në ndeshjet e Ligës së Parë, që njëherit ishte edhe i fundit i këtij takimi, që u mbyll me shifrat 4:2 në favor të Shkëndijës.

Me këtë fitore, skuadra e Jeton Beqirit, tashmë e vetme me 43 pikë kryeson renditjen tabelare, duke lënë pas vetes Rabotniçkin, që numëron 40 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply