
Struga Trim Lum të shtunën do të mirëpret Vardarin në ndeshjen e vlefshme të javës së 20-të në elitën e futbollit vendor. Të dyja skuadrat nuk e nisën mirë stinorin pranveror, duke u mundur në ndeshjet e tyre të para, ndaj nesër do të kërkojnë të nxjerrin maksimumin e pikëve.
Mesfushori strugan, Besmir Bojku, shpreson dhe beson se pikët do të mbeten në Strugë, duke pretenduar se janë ekip më i mirë se kundërshtari, që dorën në zemër gjatë merkatos së dimrit bëri një pazar të mirë të futbollistëve.
“Mendoj se na pret një ndeshje e vështirë. Sigurisht që jemi përgatitur mirë si psiqikisht, ashtu edhe taktikisht për këtë ndeshje. Shpresoj dhe besoj se tre pikët do mbesin në Strugë dhe se prej këtu do të fillojmë një seri të rezultateve pozitive dhe te ngjitemi lartë në tabelë dhe të luftojmë për kreun e tabelës.” – u shpreh Besmir Bojku.
Ndeshja midis Struga Trim Lumit dhe Vardarit luhet nesër në stadiumin e qytetit të Strugës me fillim në ora 14:00.