
PSV Ajndhoveni është ekipi i fundit udhëtues për në fazën e 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve, njofton “infOSport.mk”.
Pasi Fejenordi kishte eliminuar Milanin, sonte në “Philips Stadium” në Ajndhoven, skuadra e PSV, eliminoi Juventusin, pas fitores 3:1, edhe atë pas vazhdimeve prej dy herë nga 15 minuta, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me rezultatin 2:1, rezultat ky identik sikurse në ndeshjen e parë në Torino, kur një javë më parë fitonte Juventusi.
Kujtojmë, Bolonja ishte eliminuar që në fazën e parë të ndeshjeve, ndërsa në fazën “play-off”, përveç Milanit, mbrëmë ishte eliminuar edhe Atalanta.
Këta të fundit u eliminuan nga Klub Bryzh i Ardon Jasharit, ashtu që nderin e italianëve në Ligën e Kampionëve do ta mbrojë vetëm Interi i Simone Inzaghit.
NDESHJET TJERA
Real Madridi edhe në ndeshjen e dytë mundi Mançester Sitin e Pep Gaurdiolas, këtë herë me shifrat 3:1. Njeriu i ndeshjes doli të jetë Kylian Mbappe, që realizoi që të tre golat për “mbretërit”, ndërsa golin e vetëm për ekipin anglez e shënoi Nico.
Paris Sen Zhermeni me rezultatin e përgjithshëm 10:0 eliminoi Brest. Pas fitores 3:0 në ndeshjen e parë në udhëtim, sonte të besuarit e Luis Enrike në “Parkun Princërve” regjistruan fitore 7:0.
Për dallim nga ndeshja në Paris, ajo në Dortmund në stadiumin “Vestfalen”, midis Borusia Dortmundit dhe Sportingut të Lisbonës, nuk prodhoi gola. Mirëpo edhe përkundër këtij rezultati, “milionerët” kaluan në mesin e 16 skuadrave ma të mira, kjo falë fitores 3:0 në ndeshjen e parë në Lisbonë. (infOSport.mk)