
Sot (e mërkurë) në program janë katër ndeshjet kthyese të fazës ‘play-off’ të Ligës së Kampionëve.
Mbrëmjen e kaluar u zhvilluan katër ndeshjet e para të ‘play-off’-it, ku nuk munguan befasitë, sikurse ajo e Fejenordit që eliminoi Milanin dhe Klub Bryzh i Ardon Jasharit, që eliminoi Atalantan, derisa tutje kaluan edhe Bajern Munihu dhe Benfika.
Interesant pritet të jetë edhe në katër ndeshjet e sotme, ku në dy nga ato ka mbetur gjithçka e hapur rreth kalimit në fazën tjetër, ndërsa dy ndeshjet tjera favoritët janë shumë më të qartë.
Ndeshja më e fortë padyshim se pritet të jetë ajo në mes të Real Madridit dhe Mançester Sitit në ‘Santiago Bernabeu’, me “mbretërit” që janë paksa të favorizuar pas fitores 3:2 në ndeshjen e parë.
Përballje e fortë pritet të zhvillohet edhe në Holandë, ku PSV Eindhoven do të tentojë të eliminojë Juventusin, pas humbjes 2:1 në ndeshjen e parë të luajtur në Itali.
Në dy takimet tjera, Borussia Dortmund-Sporting Lisbona dhe Paris Sen Zhermen -Brest gjithçka duket më e qartë, pasi ekipet vendase kanë fituar ndeshjet e para në udhëtim me rezultat të thellë 3:0.