Shkëndija e Haraçinës gjatë ditës së sotme ka zhvilluar edhe takimin e dytë miqësor në kuadër të përgatitjeve për stinorin pranveror në Ligën e Tretë – Veri, aty ku kjo skuadër me shumë gjasa do të luaj për herë të fundit, pasi me hapa të sigurtë po ecën drejt Ligës së Dytë, aty ku viteve të 90-ta ishte ndër skuadrat më të mira që njeh historia e futbollit në vend, shkruan “infOSport.mk”.
Pas fitores 2:0 ndaj Bashkimit, të besuarit e trajnerit Erkan Murseli, gjatë ditës së sotme mundën edhe Pobedën e Prilepit, që gjithashtu garon në Ligën e Dytë futbollistike.
3:1 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi të zhvilluar në lagjen Aerdrom të Shkupit, aty ku Shkëndija e Haraçinës kishte luajtur edhe ndaj Bashkimit.
Aleksandar Gjorgjievski, një ndër përforcimet më të bujshme të merkatos së dimrit shënoi golin e parë për Shkëndijën e Haraçinës në këtë ndeshje, derisa dy golat tjerë ishin pjesë e Hristijan Dimov dhe Rufat Çilafit.
Kujtojmë, Shkëndija e Haraçinës stinorin vjeshtorë në Ligën e Tretë – Veri e mbylli me shumë stil, duke regjistruar 12 fitore dhe vetëm një barazim pas 13 xhirove të para. “Kuqezinjtë” nga Haraçina grumbulluan gjithsej 37 pikë, 10 më shumë se Fortuna e vendit të dytë, ndërsa edhe gol-averazhi doli të jetë impresionues, me 46 gola të shnëuar dhe vetëm 2 të pranuar. (infOSport.mk)