Gostivari me përmbysje mund gjigandët boshnjak të Sarajevës

Gostivari gjatë ditës së sotme në Rovinj të Kroacisë ka zhvilluar edhe takimin e dytë në kuadër të përgatitjeve për stinorin pranveror në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Kundërshtarë i skuadrës nga Pollogu ishte skuadra gjigande nga Bosnja e Hercegovina, FK Sarajevo, ndaj së cilës skuadër në fund shënuan fitore 2:1, pavarësisht se gjatë 45 minutave të para ndodheshin në disavantazh.

Ishte Mirza Mustafiç, që kishte shënuar golin e epërsisë për FK Sarajevo, edhe atë vetëm pas 6 minutave lojë, derisa Gostivari u kundërpërgjigjë që në çerekun e parë të pjesës së dytë, kur realizoi dy gola të shpejtë brenda dz minutave.

Fillimisht mbrojtësi Emanuel Mbende barazoi shifrat në 1:1, ndërkohë sulmuesi Marko Simonovski në minutën e 56-të shënoi edhe golin e dytë, duke i siguruar fitoren e parë skuadrës së Gostivarit në tokën kroate, aty ku kjo skuadër ka përzgjedhur të zhvillojë fazën kryesore të përgatitjeve.

Kujtojmë në ndeshjen e parë kontrolluese, KF Gostivari ishte mundur nga skuadra çeke e Sllovaçko. (infOSport.mk)

Leave a Reply