Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Masar Omeragiq, së bashku me ekipin e tij, përfshirë këtu Sekretarin Gjeneral, Drilon Ganiun, Drejtorin Sportiv, Goran Pandev dhe Drejtorin e ekipeve përfaqësuese të të rinjëve, Gjorgji Hristov, vizituan futbollistët e ri të lindur në vitin 2011, që aktualisht ndodhen në një kamp stërvitor në Strumicë.
Ata po stërviten nën syrin e trajnerëve përgjegjës në kushte ideale, ndërsa ishte vetë Omeragiq që dëshironte të vërtetohej nga afër, kjo pasi pikërisht kategoritë e reja do të jenë prioriteti kryesor i tij, duke pasur parasysh se ato janë edhe ardhmëria e futbollit në vend.
“Ne krijojmë të ardhmen”, është motoja e drejtuesve të rinj të FFM-së, të cilët me rastin e vizitës në Strumicë, në faqen zyrtare në facebook, kishin shkruar: “Përpiqemi të krijojmë një mjedis të përsosur për ngritjen e talentëve të rinj me kapacitetet më të avancuara, me staf profesional trajnerësh dhe fokus në zhvillimin e futbollit dhe aftësive njerëzore”.