Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka pritur sot në takim dy ish-futbollistët e shquar të përfaqësueses së Kosovës, Hekuran Kryeziun dhe Anel Rashkajn.
Gjatë këtij takimi, presidenti Ademi i ka informuar ata për arritjet dhe projektet e realizuara nga FFK, si dhe për reformat e vazhdueshme që po zbatohen me qëllim të përmirësimit të organizimit të federatës dhe krijimit të kushteve më të mira infrastrukturore për futbollin në vendin tonë.
Në kuadër të këtyre reformave, presidenti Ademi ka marrë vendim që Hekuran Kryeziu të emërohet në pozitën e ndihmëstrajnerit te Përfaqësuesja U21 e Kosovës, ndërsa Anel Rashkaj të emërohet ndihmëstrajner te ekipi U19.
Përveç angazhimit te përfaqësuesja U19 e Kosovës, Rashkaj do të jetë gjithashtu pjesë e Departamentit Teknik të FFK-së, duke kontribuar me përvojën dhe njohuritë e tij në zhvillimin e futbollit kosovar.