Merkatoja e janarit, Struga Trim Lum gati të bëjë vetëm afrime “big”

Struga Trim Lum sezonin e ri nuk ishte ajo e dy viteve të fundit, por pavarësisht këtij fakti skuadra kampione në fuqi ka arritur të ruajë një distancë solide ndaj 4 skuadrave të para në renditje.

Ndryshimet e mëdha në merkaton e verës, përfshirë këtu edhe emërimin e trajnerit të ri, pa dyshim se kanë pasur ndikimin e vet, ndërsa një gjë e tillë u vërejt edhe në ndeshjet europiane, kur Struga Trim Lum nuk arriti dot suksesin e vitit të kaluar.

Tashmë të mësuar nga fakti se transferimet e shumta mund të ndikojnë negativisht te skuadra, drejtuesit e Struga Trim Lum do të tentojnë të bëjnë një merkato të një tjetër standardi, krahasuar me ekipet e tjera të Ligës së Parë, njofton “infOSport.mk”.

Pa dyshim përforcimi i tyre më i madh do të jetë rikthimi i dyshes së mesfushorëve, Bunjamin Shabani dhe Besmir Bojku, teksa pas javës së parë të vitit 2025 pritet të zbardhen edhe emra të tjerë futbollistësh me “CV” të pasur, me të cilët veçmë janë në negociata.

Faza mbrojtëse është reparti ku skuadra ka më së shumti nevojë për përforcime. 21 golat e pranuar alarmuan drejtuesit, të cilët tashmë janë edhe me ide të qarta se kush do ti bashkohet skuadrës.

Më së shumti tregu i afrimeve është përqendruar jashtë kufijve tanë, teksa Presidenti Arbtrim Qyra, pritet të bëjë lëvizjet e duhura, me të vetmin qëllim që të rikthejë ekipin dominues e dy sezoneve të kaluara.

Kujtojmë, në verë skuadrës kampione në fuqi iu bashkuan emra si Stefan Spirovski, Stefan Jevtoski, Kire Ristevski apo edhe Lanre Kehinde, futbollistë këta që në Ligën e Parë janë të një niveli të lartë. (infOSport.mk)

Leave a Reply