Arbi Vosha pjesën e dytë të sezonit aktual në Ligën e Parë, do ta vijojë te skuadra e Tikveshit, njofton “infOSport.mk”. Shkupjani në koordinim me klubin u vendos të marrë këtë hap, me qëllim që të rikthehet në formën e vjetër. Ai beson se te Tikveshi do të ketë më shumë hapësira dhe se shumë shpejt do të rikthehet ai i vjetri.
“Vendosa kështu me të vetmin qëllim për të rikthyer vetëbesimin dhe të luaj më shumë. Të kem sa më shumë ndeshje në këmbët e mira, pasi vetëm në atë mënyrë mund të rikthehem ai i vjetri. Si pjesë e Struga Trim Lum, i uroj ekipit tim që këtë vit ti fitojë të dyja kupat” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Arbi Vosha.
Shkupjani te skuadra strugane erdhi verën e këtij viti. Ai te Struga Trim Lum u transferua nga rradhët e FC Shkupit, edhe atë si një super përforcim, mirëpo i njëjti nuk arriti të gjejë veten, duke zhvilluar vetëm 411 minuta gjithsej, mes kampionatit dhe garave europiane.
Tikveshi në anën tjetër pa dyshim se ka përfituar një super lojtar në krahët e sulmit, edhe pse Vosha mund të luaj edhe në qendër të mesfushës, në rolin e fantazistit.
23-vjeçari Vosha në elitën e futbollit vendor numëron gjithsej 254 ndeshje, 21 gola dhe 11 asistime. (infOSport.mk)