Kursi i organizuar nga Federata e Futbollit shqiptarë për herë të parë në bashkëpunim me UEFA-n, UEFA B Fitness Coach, i cili certifikon trajnerët e përgatitjes fizike, u përmbyll me sukses këtë javë në Tiranë.
Në këtë kurs morën pjesë 33 kandidatë, në mesin e të cilëve ishte edhe trajneri kondicional i FC Shkupit, Ferid Veseli.
I njëjti me sukses kaloi provimin përfundimtarë të para disa ditëve të UEFA B Fitness Coach, që kishte filluar në muajin shtator.
Përgjatë 4 muajve u zhvilluan 4 blloqe trajnimesh teorike dhe praktike, ku 3 prej tyre u monitoruan nga delegati i UEFA-s, Chris Barnes, i cili dha feedback dhe sugjerime të vlefshme për përmirësimin e mëtejshëm të programit.
Ky kurs përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin profesional të trajnerëve të përgatitjes fizike dhe në përmirësimin e cilësisë së stërvitjeve të skuadrave futbollistike.
Fokus i veçantë përgjatë leksioneve dhe praktikave iu dha futbollit të vajzave dhe të rinjve.
Së shpejti Federata Shqiptare e Futbollit do të publikojë edhe datat e reja të kursit për vitin 2025, ku të interesuarit mund të marrin informacion mbi proçedurat e regjistrimit, tarifat dhe strukturën e kursit.