Familja e madhe “bardheblu” e FC Shkupit përmes një darke të përbashkët shënoi fundin e stinorit vjeshtorë, të cilin e mbylli në mesin e tabelës, me 22 pikë.
Megjithatë dy fitoret e fundit ndaj Struga Trim Lum dhe së fundmi ajo ndaj Besës së Dobërdollit në Gostivar, kanë lënë të kënaqur edhe pronarët e rinj, që për në pranverë paralajmërojnë shumë ndryshime, thuajse në të gjitha strukturat.
Një gjë e tillë u tha edhe mbrëmë në darkën e përbashkët me lojtarët, ku prezent ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm, Aykut Turan, si dhe Drejtori Sportiv, Nderim Nexhipi.
Në mungesë të presidentit, Yasin Konyali, i cili mungoi me arsye, foli Drejtori Turan. Ai falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë gjatë pjesës vjeshtore, duke paralajmëruar ndryshimet e mëdha në skuadër për pjesën pranverore.
Fjalë rasti morri edhe Drejtori Sportiv, Nderim Nexhipi, i cili gjithashtu falënderoi të gjithë futbollistët një nga një, stafin teknik me në krye trajnerin Erdem Alparslan, si dhe gjithë të pranishmit, pjesë e klubit, që gjithë secili në sferën e vetë kishin dhënë kontributin gjatë këtij gjysmësezoni që mund të konsiderohet relativisht i mirë, kur kemi parasysh se në një periudhë kishte edhe turbulenca, por që në fund gjithçka u mbyll me sukses.
Fitoret ndaj Struga Trim Lum dhe Besës së Dobërdollit ngritën dukshëm atmosferën në skuadër për në fundvit, ndërsa një gjë e tillë prezente ishte edhe në darkën e fundit, e ku në qendër të vëmendjes ishin futbollistët e rinj, Ariton Mehmedi dhe Anes Bajrami, që para gjithë të pranishmëve sollën pak shou, me këngët e tyre të përzgjedhura.
Kujtojmë, 17-vjeçari Mehmedi kishte arritur të debutojë në ndeshjen ndaj Struga Trim Lum, ndërsa gjatë stinorit pranveror nga tabori “bardheblu”, besojnë se edhe tjerë futbollistë nga Akademia do të kyçen në ekipin e parë.