Eliminimi i turpshëm i FC Ballkanit nga skuadra e ligës së Dytë, KF Rilindja 1974, por mbi të gjitha edhe humbja e pozitës së parë dhe dallimi prej 8 pikëve ndaj Dritës kryesuese në elitën e futbollit kosovar, kanë bërë që Artim Pollozhani, të jap dorëheqje nga posti i trajnerit te skuadra nga Suhareka.
Strugani skuadrën e Ballkanit e ka udhëhequr në gjithsej 12 ndeshje, duke regjistruar 5 fitore, 4 barazime dhe 3 disfata, nëse llogarisim si të tillë edhe disfatën e sotme, që erdhi përmes ruletit të penaltive nga skuadra e KF Rilindja 1974.
Mbi të gjithë, FC Ballkani me Pollozhanin në krye ka pësuar disfata në të dyja ndeshjet kampionale kundër rivalit kryesor për titull, Dritës së Gjilanit, që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani.
Kujtojmë, FC Ballkani edicionin e kaluar kishte fituar titullin e dyfishtë në futbollin kosovar nën drejtimin e Ilir Dajës, duke u shpallur kampion dhe njëherit duke fituar trofeun e Kupës.