Nën patronatin e Presidentit të KF Trepça’89 FC, Abedin Zeka, mbështetjen e Federatës së Futbollit të Kosovës, Komunës së Mitrovicës dhe me Iniciativën e Klubit dhe familjes Kajtazi, me datën 3 dhe 4 Dhjetor në Mitrovicë, do të zhvillohet Turneu Përkujtimor U19 “Erion Kajtazi” në Fushën Sintetike afër Liqenit Akumulues, ku siç dihet kjo Fushë e Futbollit mban emrin “ERION KAJTAZI”.
Bëhet fjalë për një ish futbollistë të KF Trepça’89 FC, i cili saktë para dy viteve gjatë një ndeshje futbollistike, në minutat e fundit të pjesës së parë ra pa ndjenja në tokë, pas një sulmi kardiak.
Ceremonia e hapjes së Turneut do të fillojë në orën 10:00, ku do të marrin pjesë disa prej Klubeve më të mëdha Shqiptare, përfshirë këtu edhe FC Shkupin U19, që udhëhiqet nga trajneri Alisa Vishi.
Në hapjen solemne fjalë rasti përveç numrit një të klubit organizatorë, Abedin Zeka, do të kenë edhe njëri prej familjarëve të Erion Kajtazit, pastaj Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Ministri i Sportit të Kosovës dhe Kryetari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi.
Ndryshe përveç FC Shkupit dhe klubit organizatorë, KF Trepça’89 FC, në këtë turne përkujtimorë U19 do të marrin pjesë edhe FC Prishtina dhe Skënderbeu nga Korça.
Ndeshja e parë e turneut do të zhvillohet me fillim nga ora 11:00 midis ekipit organizatorë, KF Trepça’89 FC dhe FC Shkupit të Alisa Vishit, ndërsa ndeshja e dytë midis FC Prishtinës dhe KF Skënderbeut do të startojë në ora 13:30.
Përveç drekave të përbashkëta, dita e parë e turneut do të mbyllet me një dokumentarë përkujtimorë, kushtuar “Erion Kajtazit”, që do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës, “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë.
Dita e dytë e 4 dhjetorit do të fillojë me homazhe që do të bëhen te varri i të ndjerit Erion Kajtazi, që kishte qenë vetëm 17-vjeç, kur kishte ndërruar jetë, ndërkohë me fillim në ora 11:00 do të luhet ndeshja finale.
Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen sipas sistemit 2×30 minuta, ndërsa në rast barazimi, skuadrat do të ju drejtohen direkt penaltive.
Suksese të gjitha klubeve…