FIFA ditën e sotme ka bërë publike edhe renditjen e kombëtareve pas ndeshjeve të fundit në Ligën e Kombeve. Kombëtarja shqiptare fatkeqësisht mori vetëm 1 pikë në dy ndeshjet e zhvilluara për këtë muaj, ku barazuan me Çekinë dhe humbën me Ukrainën.
Kjo ka bërë që “kuqezinjtë” të mos lëvizin nga pozicioni i tyre, duke vazhduar të mbajnë pozitën e 65-të. Maqedonia përkundër ngjitjes prej dy vendeve në renditjen më të re, vazhdon të mbetet pas Shqipërisë, duke u renditur në pozitën e 67-të, ndërkohë për dy vende më lartë është ngjitur edhe përfaqësuesja e Kosovës.
Një arritje e madhe për Kosovën që për herë të parë bëhet pjesë e “TOP-100” më të mirave në Botë. Saktësisht Kosova mban vendin e 99-të në klasifikim, duke lënë pas emra të rëndësishëm.
Ndërkohë nga ana tjetër Argjentina vazhdon të kryesojë renditjen, duke lënë pas vetes emra si Franca, Spanja, Anglia dhe Brazili. “Top-10”-shja plotësohet nga Portugalia, Holanda, Belgjika, Italia dhe Gjermania. (infOSport.mk)