E mërkura sjellë ndeshjet e javës së 16 të jashtëzakonshme në Ligën e Parë, aty ku në qendër të vëmendjes do të jetë ndeshja në Tetovë mes dy skuadrave shqiptare, Shkëndijës dhe FC Shkupit.
Ndeshjet mes këtyre dy skuadrave gjithnjë kanë zgjuar interesim të madh, ndërsa një gjë e tillë pritet të ndodh edhe nesër, teksa në shkallët e stadiumit prezent do të jenë tifozëritë e të dyja skuadrave.
Kjo paralajmëron një spektakël në tribuna, ndërsa sipas Demir Imerit, mesfushorit të FC Shkupit, spektakli nuk do të mungojë as në fushën e blertë.
Imeri në të kaluarën ka luajtur edhe me Shkëndijën, dhe njeh mirë të dy ambientet. “I njoh shumë mirë të dyja ambientet, ashtu që mund lirisht të them se nesër në Tetovë do të takohen dy klubet më të mëdha në vend që pas vetes kanë dy tifozëri të mrrekullueshme. Koha për tu stërvitur enkas për këtë ndeshje, vërtetë ka qenë shumë e shkurtër, megjithatë neve jemi profesionist dhe në çdo ndeshje japim maksimumin. Premtojmë se ashtu do të jetë edhe nesër dhe mund të them se të gatshëm presim këtë ndeshje derbi. Vërtetë vendit tonë i mungojnë ndeshje të këtilla, ndaj dhe nesër të pranishmit në stadium do kenë mundësinë të shijojnë vërtetë një spektakël si në tribuna, ashtu edhe në fushën e blertë” – thotë Demir Imeri, i cili në këtë mënyrë rikthehet të luaj në Tetovë saktësisht pas plotë 8 viteve.
Pikërisht me 27 nëntor të vitit 2016-të, Imeri kishte zhvilluar ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Shkëndijës në atë barazim 2:2 kundër Rabotniçkit.
“Me të vërtetë një ndjenjë e veçantë për mua, që rikthehem të luaj saktësisht pas plotë 8 viteve në Tetovë, aty ku kam kaluar shumë momente të mira. E kujtoj sikur sot atë ndeshje kundër Rabotniçkit” – shprehet Demiri, i cili paralajmëron spektakël edhe në fushën e blertë, pavarësisht se skuadra e tij nuk po arrinë rezultatet e duhura.
“Nëse rezultatet na mungojnë, kjo nuk do të thotë që na mungon kualiteti si skuadër. FC Shkupi është i lindur për ndeshje të mëdha, pasi një gjë të tillë e kemi dëshmuar edhe më parë, mirëpo edhe këtë edicion, ndaj besoj se spektakli nuk do të mungojë as në fushën e blertë, njëjtë sikurse edhe në tribuna. Mendoj se ndeshja e nesërme do të jetë një festë e vërtetë, ndërsa në fund le të fitojë më i miri” – ishin fjalët e fundit të Demirit, i cili në elitën e futbollit vendor numëron plotë 102 paraqitje.
Ndeshja midis Shkëndijës dhe FC Shkupit në program do të jetë nesër me fillim në ora 13:00 në stadiumin e qytetit të Tetovës.