Çairi dje ishte në festë. “Shvercerat”, një ndër tifo grupet më të organizuara në vend festuan 35-vjetorin, ndërsa njëkohësisht skuadra e tyre e zemrës FC Shkupi, u bë me pronar të ri.
Me këtë rast, kapoja e “Shvercerave” pronarin e ri, Yasin Konyali, e mirëpriti me një dhuratë, duke i dëshiruar mirëseardhje atij në familjen e madhe “bardheblu”.
Konyali ishte i shoqëruar nga Drejtori Sportiv, Nderim Nexhipi, si dhe Drejtori i ri, Ajkut Turan, të cilët më pas gjithë së bashku e ndoqën ndeshjen e vlefshme të javës së 15-të kundër Sileksit nga tribunat.
Aty kjo treshe ishte e shoqëruar edhe nga udhëheqësia e deritanishme e FC Shkupit, Emir Shabani dhe Florim Muça, ndërsa nuk mungoi edhe Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, një tifoz i flaktë i FC Shkupit.
Atmosfera në stadiumin e Çairit dje ishte e shkëlqyer, kjo falë tifo grupit “Shvercerave”, që festonin 35-vjetorin, mirëpo në fushën e blertë gjërat nuk shkuan ashtu si duhet, pasi futbollistët nuk kaluan provimin para tifozëve të tyre, por njëkohësisht edhe presidentit të ri, Konyali.
Megjithatë, sipas fjalëve të Konyali, FC Shkupin e presin ditë të mira, duke paralajmëruar ndryshime të mëdha që nga janari, kur edhe skuadra do të mund të bëjë lëvizjet e saja, kur janë në pyetje futbollistët e ri, që mund të zbarkojnë te skuadra nga Çairi. (infOSport.mk)