Të dielën në stadiumin e Çairit, FC Shkupi do të mirëpret Sileksin në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të në Ligën e Parë.
Në prag të këtij takimi, drejtuesit “bardheblu” vijnë me një njoftim shumë të rëndësishëm për tifozët.
Të njëjtit kanë marrë vendim që ndeshja e nesërme kundër Sileksit, por edhe ajo e javës së 17-të kundër Struga Trim Lum, në stadiumin e Çairit të zhvillohet me dyer të hapura.
Kjo vazhdon vetëm për tribunën e vjetër, ndërsa në tribunën e re, të vendosur do të jenë një pjesë e mysafirëve, bashkë edhe me pronarin e ri, i cili nesër për herë të parë do të ndjek një ndeshje të FC Shkupit, që do të jetë tashmë në pronësi të tij, pas largimit të Olgun Ajdin.
Ndeshja FC Shkupi-Sileksi do të startojë në ora 13:00, ndërsa nga tabori i FC Shkupit, lusin gjithë tifozët që të vijnë të paktën gjysmë ore më herët, kjo për shkak të tollovisë që mund të krijohet para hyrjes së vetme të stadiumit.
E diela do të jetë gjithashtu një festë e madhe për grupin e tifozëve tanë “Shvercerat”, që festojnë 35 vjetorin e themelimit.