FC Shkupi së shpejti pritet të bëhet me pronar të rinj, ndërsa informacionet tona thonë se i njëjti do të jetë prezent vetë personalisht për të ndjekur ndeshjen e javës së 15-të kundër Sileksit.
Ndeshjen kundër skuadrës nga Kratova, FC Shkupi do ta zhvillojë në stadiumin e Çairit, aty ku “Shvercerat” tashmë disa ditë kanë paralajmëruar spektaklin e rradhës, këtë herë më të madhin të këtij sezoni.
Ky tifo grup feston 35 vjetorin e themelimit, ndaj për ndeshjen me Sileksin duken shumë të mobilizuar, njëjtë sikurse edhe vetë skuadra e FC Shkupit, që me çdo kusht do të tentojë fitoren para syve të pronarit të rinj, shkruan “infOSport.mk”.
Kur jemi tek ky i fundit, bëhet fjalë për një shtetas gjerman me origjinë turke, e që për synim ka të rikthejë FC Shkupin në majat e futbollit vendor. Ai tashmë ka dërguar përfaqësuesin e tij zyrtarë në Shkup, teksa i njëjti gjatë ditës së sotme ka mbajtur një mbledhje me drejtuesit aktual të FC Shkupit, ku është biseduar për shumë tema.
I njëjti ka eksperiencën e duhur bazuar në CV-në e tij, duke pasur parasysh se ka menaxhuar me mjaft sukses në periudha të caktuara skuadrat si Bursaspor dhe Adana DemirSport.
Ai te FC Shkupi do të luaj rolin e Drejtorit Sportiv, bashkë me Nderim Nexhipin, i cili javë më parë u emërua në këtë post nga pronari i kaluar, Olgun Ajdin.
Me pronarin e ri, FC Shkupi pritet të rikthehet edhe më fuqishëm në skenën e futbollit vendor, aty ku tashmë vite me rradhë ka luajtur një rol të rëndësishëm, duke qenë gjithnjë në garë për titullin kampion dhe duke prezantuar vendin tonë në arenën ndërkombëtare. (infOSport.mk)