Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të luajë kundër Islandës, në ndeshjen e “play-off”-it për promovim në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Një gjë e tillë u vendos sot në shortin e tërhequr në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës.
Të pranishëm në ceremoninë e shortit ishin presidenti Agim Ademi, përzgjedhësi Franco Foda, zv/drejtori i Kombëtares, Samir Ujkani dhe menaxheri Bajram Shala.
Ndeshjet e “play-off”-it zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.
Ndeshjen e parë “Dardanët” do ta zhvillojnë më 20 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa atë të kthimit në fushën e kundërshtarit me datë 23 mars.
Islanda nuk është kundërshtar i panjohur për “Dardanët”, pasi janë përballur dy herë në ciklin kualifikues të Botërorit 2018.