Skuadra e Dritës së Gjilanit, që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani, ka shënuar fitore të lehtë ndaj Suharekës, në ndeshjen e javës së tretë (e mbetur) në Superligën e Kosovës.
“Bardhekaltërit” nga Gjilani shënuan fitore 4:2 ndaj skuadrës së Suharekës. Arb Manaj paralajmëroi fitoren me golin e shënuar në minutën e 36-të, që rezultoi të jetë goli i vetëm i realizuar gjatë 45 minutave të para.
Pjesa e dytë dhuroi plotë 5 gola, me Dritën që shënoi edhe tre herë të tjera në portën e skuadrës nga Theranda. Besnik Krasniqi vetëm pas katër minutave lojë në këtë pjesë shënoi për 2:0, derisa Liridon Fetahaj në minutën e 54-të shënoi për të rikthyer në lojë Suharekën.
Mirëpo gëzimi i mysafirëve zgjati vetëm tre minuta, pasi Drita me anë të Dabiqajt riktheu epërsinë e dy golave, derisa Besnik Krasniqi me golin e dytë personal të shënuar në minutën e 63-të shënoi për 4:1.
Deri në fund të takimit, Suhareka me anë të malazezit, Skrijelj, arriti të shënojë edhe golin e dytë, mirëpo që në fund vlente vetëm për statistika, pasi fitorja dhe tre pikët i takuan Dritës, skuadër kjo që në këtë mënyrë rikthehet në krye të renditjes tabelare me 28 pikë, 3 më shumë se Ballkani i vendit të dytë.
Sa i përket Suharekës, kjo skuadër me 18 pikë të grumbulluara renditet në pozitën e 5-të. (infOSport.mk)