Muamed Sejdini pas 7 viteve në krye të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, ka vendosur të tërhqiet, duke lënë pas vetes disa nga sukseset më të mëdha në historinë e futbollit, kur është në pyetje ekipi përfaqësues futbollistik. Nën drejtimin e tij, Maqedonia siguroi kualifikimin e parë në Euro 2020(1), ndërsa ciklin e sivjetshëm të Ligës së Kombeve e mbylli në mënyrën më të mirë në kuadër të grupit 4 të Ligës “C”, me 5 fitore dhe 1 barazim.
Kështu si e para e këtij grupi, Maqedonia edicionin e ardhshëm do të luaj një rang më lartë, duke bërë gara në Ligën “B”, aty ku do ketë kundërshtarë shumë më të fortë.
Sejdini do të vazhdojë drejtimin e Federatës deri më 22 dhjetor, kur në një Kuvend të Jashtëzakonshëm do të zgjidhet pasardhësi i tij, ndërsa informacione të sigurta pranë “infOSport.mk”, bëjnë me dije se ai do të jetë ish futbollisti i Slloga Jugomagnatit, Masar Omeragiq.
Lajmin për tërheqjen e tij nga pozita e kryetarit, Muamed Sejdini e bëri publik në profilin e tij personal në Facebook:
“Pas 7 viteve të jashtëzakonshme dhe të mbushura me arritje historike, kam vendosur të tërhiqem nga pozita e Presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Ky vendim vjen si rezultat i reflektimit tim për një moment të përshtatshëm ndryshimi, pas një periudhe që do të mbetet si më e suksesshmja në historinë e futbollit tonë.
Nën drejtimin tim, së bashku me ju, kemi shkruar kapituj të artë për futbollin e Maqedonisë: kualifikimi historik në Kampionatin Europian EURO 2020, renditja e dytë në grupin kualifikues për Kupën e Botës dhe fitorja e paharrueshme kundër Italisë në Palermo, sukseset e Ligës së Kombeve me kalimin në Ligën B dhe realizimi i projekteve të shumta infrastrukturore në bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n.
E lë këtë pozicion me krenari dhe falënderim të madh për të gjithë ata që kontribuuan në këto arritje: lojtarët, trajnerët, klubet, investitorët, administratën, Komitetin Ekzekutiv (Këshillin Drejtues) dhe çdo dashamirës të futbollit.
Unë do të vazhdoj të ushtroj rolin tim deri më 22 dhjetor, kur në një Kuvend të Jashtëzakonshëm do të zgjidhet pasardhësi im.
Me besim të plotë në të ardhmen e Federatës dhe të futbollit tonë, ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe bashkëpunimin ndër vite.
Me respekt dhe mirënjohje,
Muamed Sejdini