Tifozët izraelitë janë sulmuar në Amsterdam pas përfundimit të ndeshjes Ajaks – Maccabi Tel Aviv, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e katërt në kuadër të Liga Europa.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, dhjetë të plagosur dhe tre të zhdukur është epilogu i deritanishëm i sulmit brutal që tifozët e Maccabi Tel Aviv e pësuan në Amsterdam pas përfundimit të ndeshjes kundër Ajaksit.
Në njoftimin e saj, Ministria e Jashtme izraelite u bëri thirrje izraelitëve në Amsterdam që të qëndrojnë në hotelet e tyre.
“Shmangni udhëtimet në rrugë dhe mbylluni në hotelet tuaja. Shfaqja e simboleve izraelite dhe hebraike duhet të shmanget”, ishte direktiva e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit.
VIDEO – https://edition.cnn.com/2024/11/08/world/video/amsterdam-israel-maccabi-soccer-attacks-digvid
Raportet nga Izraeli dhe Holanda thonë se ambasada izraelite në Amsterdam po ndihmon për t’i zhvendosur izraelitët të sigurt.
Qeveria e Netanyahut ka dërguar dy avionë për t’i riatdhesuar ata.
Siç njoftoi ushtria izraelite , ajo po dërgon dy avionë në Holandë në një mision “shpëtimi”, me mjekë dhe ekuipazhe shpëtimi në bord, në “koordinim me qeverinë holandeze”.