Java e 14-të në Ligën e Parë do të luhet e gjitha të shtunën, kjo për shkak edhe grumbullimit të përfaqësueses së vendit, që po përgatitet ti zhvillojë dy ndeshjet e fundit në kuadër të ciklit të Ligës së Kombeve, aty ku me shumë gjasa edicionin tjetër, Maqedonia do të luaj në Ligën “B”.
Struga Trim Lum – Rabotniçki, është ndeshja kryesore e kësaj jave, pasi përballë do të kemi kampionët në fuqi dhe liderin aktual. Skuadra e Qatip Osmanit me fitore eventuale do të barazohej me pikë me “romantikët” dhe do të rikthehej fuqishëm në garë për pozitën e parë, pas një periudhe jo të mirë të rezultateve.
Në anën tjetër në Shkup, në arenën “Todor Proeski” do të takohen dy njohësit e vjetër, Vardari dhe FC Shkupi. Edhe pse pozitat momentale në renditjen tabelare nuk na japin të drejtën ta etiketojmë si derbi këtë ndeshje, e njëjta meriton shumë hapësirë bazuar në rivalitetin e këtyre dy skuadrave, si në fushën e futbollit, ashtu edhe në tribuna.
Për fat të keq, edhe nesër nuk do të kemi mundësinë të shohim një përballje tifozëllëku në tribuna, kjo pasi ekipi vendas ka vendosur që mos të pranojë tifoz mysafir, ashtu që në këtë ndeshje ekipi nikoqir, Vardari do të ketë përkrahjen e duhur nga tribunat.
NDESHJET TJERA
Shkëndija në Tetovë do të mirëpret AP Brera, Gostivari në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari të Shkupit do të mirëpret Voska Sport, ndërkohë Besa e Dobërdollit me Burim Sadikun si kryetrajner do të jetë mysafir i Tikveshit në Kavadar.
Ndeshja e fundit, është ajo midis dy ekipeve të njohura të Ligës së Parë, Sileksit dhe Pelisterit. Vendasit shihen si favorit në këtë përballje, mirëpo fitorja e fundit e Pelisterit ndaj Vardarit në Manastir, ka bërë që kjo skuadër të besoj te suksesi, që do të ndihmonte këtë skuadër në ngritje në tabelën e klasifikimit. (infOSport.mk)
LPFMV – Java 14 |
||||||||||||||||||
|