Barazimi në Tetovë dhe loja burrërore ndaj Shkëndijës, ka bërë që vetëbesimi, por edhe atmosfera pozitive të rikthehet në skuadër. Kështu thotë mbrojtësi Besart Krivanjeva, që ishte protagonistë i atyre 90-të minutave të forta në ndeshjen e fundit kampionale në Tetovë, në të cilën ndeshje në fund Struga Trim Lum nxorri një barazim 1:1.
“Pas barazimit ndaj Shkëndijës, skuadra po frymon më ndryshe. Vetëbesimi është rritur, kjo ndoshta edhe pas atij triumfi në Kupë, ndërsa kjo u vërejt edhe në ndeshjen e fundit në Tetovë. Nëse përsërisim një lojë të tillë dhe kuptohet ju përmbahemi në mënyrë strikte instrukcioneve të trajnerit, atëherë besoj se edhe kundër Tikveshit mund të nxjerrim një rezultat pozitiv. Kur them rezultat pozitiv, mendoj tek fitorja, pasi në atë mënyrë mund të ngjitemi në renditjen tabelare. Mendoj se pozita momentale nuk i shkon për shtati Struga Trim Lum” – shprehet Besart Krivanjeva i cili nesër pritet të zhvillojë ndeshjen e 10-të sezonale.
I njëjti mungoi në ndeshjet e javës së 3-të kundër Rabotniçkit dhe javës së 7-të kundër Voska Sport, ndërsa i gatshëm për të dhënë më të mirën e sheh veten për ndeshjen e nesërme në Kavadar, aty ku së fundmi skuadra strugane ishte mundur me një gol të pësuar vetëm në minutën e 94-të.
“Kemi punuar shumë në këtë aspekt, që të jemi vigjilent dhe syçel deri në fërshëllimën e fundit të arbitrit. Pa dhënë shenjë arbitri të gjithë e dimë se në fushën e blertë mund të ndodh gjithçka, madje të pranosh gol edhe në sekondën e fundit. Kjo na ndodhi edicionin e kaluar, mirëpo nuk do lejojmë që të na përsëritet. Besoj se me një angazhim të plotë të gjithë futbollistëve që do marrin besimin e trajnerit, mund t’ia dalim sërish dhe të fitojmë sërish ndaj Tikveshit” – përfundoi Krivanjeva.
Kujtojmë në ndeshjen e parë të këtij sezoni, falë golit të Compaore, Struga Trim Lum kishte mundur Tikveshin me rezultatin minimal 1:0.