Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini, me ftesë të personit të parë të UEFA-s, Aleksandar Çeferin ka qenë sot në Shtëpinë Evropiane të Futbollit në Nyon të Zvicrës.
Sulmi fizik ndaj presidentit të vendit tonë si dhe pas marrjes së informacioneve nga UEFA për ndërhyrje politike në punë të Federatës, e cila kërcënon integritetin e saj, u bënë shkak që menjëherë pas ndeshjes me Armeninë, kreu i FFM-së të thirrej në një mbledhje urgjente nga presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin.
Presidenti Sejdini e ka njoftuar drejtpërdrejt dhe në detaje presidentin e UEFA-s, për situatën aktuale dhe UEFA shprehu mbështetjen e fuqishme për mbrojtjen e FFM-së dhe integritetit të saj.
Më herët (dje), UEFA dhe FIFA bashkërisht i kanë dërguar një letër me shkrim FFM-së duke kërkuar takim sa më të shpejtë me zyrtarët e qeverisë. FFM-ja ia ka përcjellë menjëherë këtë letër qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe janë në pritje të një termini për takimin e kërkuar.
UEFA dhe FIFA janë të palëkundur në synimin e tyre për të ruajtur integritetin e futbollit dhe të federatës.
Presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin gjithashtu ka shprehur urimet e tij të sinqerta për vendin e parë në grup të Ligës C të Kombeve, duke i dëshiruar përfaqësues së Maqedonisë suksese dhe arritje edhe më të mëdha në vijim.