FC Shkupi shënoi fitore 2:0 kundër Llapit në miqësoren e sotme që u zhvillua në stadiumin e lagjes në Autokomandë, njofton “infOSport.mk”. Në këtë ndeshje të dy trajnerët shfrytëzuan mundësinë për të ju dhënë mundësinë futbollistëve me më pak minutazh, ndërsa në fund ekipi nga kryeqendra jonë doli fitues, duke konfirmuar formën më të mirë që zotërojnë për momentin.
Trajneri i FC Shkupit, Erdem Alparslan në këtë ndeshje nuk mund të llogariste në shërbimet e 5 futbollistëve titullarë, që janë pjesë e ndeshjeve ndërkombëtare me përfaqësueset e tyre. Fjala është për golashënuesin më të mirë të skuadrës, Joan Simon Edmundson, i cili është pjesë e Ishujve Faroe, pastaj për treshen Hamza Ramani, Aleks Zlatkov dhe Besar Guxhufi, që janë pjesë e përfaqësueses shpresa të Maqedonisë, si dhe për Numan Ajetoviq, që luan me përfaqësuesen U19 të vendit tonë.
Kësisoj trajneri Alparslan vendosi që ndeshjen ta nis me këtë formacion: D. Denkovski, K. Bllazhevski, Xh. Asani, E.Liçina, E.H. Gueje, A. Lazarov, A. L. Diene, D. Imeri, F. Kadriu, A. Klement, G. Stojanovski;
Pjesa e parë doli të jetë e barabartë dhe e njëjta përfundoi me rrjeta të paprekura, ndërsa pjesa e dytë foli në tërësi për e FC Shkupit, që shënoi dy gola në rrjetën e mysafirëve nga Kosova.
I pari që shënoi ishte El Haxhi Gueje në minutën e 58-të, ndërsa goli i dytë erdhi në minutën e 70-të me autorë Georg Stojanovski. Edhe pas këtyre dy golave, futbollistët e FC Shkupit nuk ndaluan me krijimin e rasteve dhe dominimit para portës kundërshtare, duke arritur madje për të shënuar edhe dy gola të tjerë, përmes dyshes sulmuese Avornyo dhe Ibishi, mirëpo që të dy u anuluan për shkak pozitës jashtëloje.
Raste të mira për të shënuar kishin gjithashtu edhe Tamba Fabrice, që në një rast qëlloi edhe shtyllën pingule, si dhe Besmir Daci, i cili në minutat e fundit provoi goditjen e tij nga distanca, mirëpo që vetëm disa centimetra topi përfundoi jashtë kuadrantit.
I fundit që u kanos, ishte Xhemal Ibishi, goditjen e të cilit fillimisht e ndali portieri mysafir, e më pas edhe traverza.
Në fund fitore më se e merituar për skuadrën e FC Shkupit, që në fundjavën e ardhshme në kuadër të xhiros së 10-të do të përballet me Pelisterin në Manastir. (infOSport.mk)