Dyshja Behar Fetahi dhe Bekim Kamberi, dolën të jenë protagonistët kryesor në fitoren e përfaqësueses shpresa të Maqedonisë ndaj moshatarëve moldav, duke shënuar dy golat në fitoren 2:1, njofton “infOSport.mk”.
Fetahi ishte autorë i golit të parë që në minutën e 11-të, kur mjaft mirë reagoi para portës kundërshtare, duke shfrytëzuar në maksimum pasimin e Filip Trpçevskit, ndërkohë Bekim Kamberi shënoi një super gol në minutën e 94-të, duke ngritur epërsinë e shpresave të vendit në ato momente në 2:0.
Ishte ky goli i parë në ndeshjen e tij për parë për mesfushorin e Struga Trim Lum, i cili nga ndeshja në ndeshje po rritet shumë e më shumë, ndërsa më së miri këtë e konfirmojnë edhe paraqitjet e tij me fanellën e skuadrës kampione të vendit.
Nuk vonoi shumë dhe pas golit të Kamberit, Moldavia shënoi golin e nderit përmes Vlad Raileanu, që në fund vlente vetëm për statistikë.
Në fund, fitore e merituar e të besuarve të trajnerit Dragan Kanatllarovski, që pas 9 xhirove në kuadër të grupit “C”, kualifikues për plasman në Europianin e vitit 2025, numërojnë 12 pikë, duke u renditur në pozitën e katërt.
Tashmë një vend për në Europianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Sllovaki, nga ky grup ka siguruar Holanda, që ka pikë maksimale.
9 ndeshje, 9 fitore për “tulipanët”, ndërsa për vendin e dytë, që siguron balotazh, do të luftojnë Suedia dhe Gjeorgjia. Aktualisht Suedia renditet në pozitën e dytë me 17 pikë, një më shumë se Gjeorgjia, që për kundërshtarë në xhiron e fundit do të ketë pikërisht përfaqësuesen tonë.
Kjo ndeshje në program është me datë 15 tetor, ndërsa Suedia një ditë më herët do të përballet me Holandën në transfertë. (infOSport.mk)