Myrto Uzuni definitivisht nuk do të jetë në gjendje për të ndihmuar kombëtaren e Shqipërisë në dy ndeshjet e tetorit, kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë.
Sulmuesi beratas doli të jetë i pafat, pasi një dëmtim i tij gjatë stërvitjeve bëri që ai të mos jetë në gjendje për të vazhduar, sidomos pas rezonancës së fundit magnetike, e cila tregoi një dëmtim në muskujt e pulpës së djathtë, ashtu që i njëjti tashmë është rikthyer në Spanjë te klubi i tij i Granadas.
Në vend të tij sikurse bën me dije FSHF është grumbulluar Indrit Tuci.
Sulmuesi i Spartës së Pragës ishte në orbitën e Silvinjos që pak kohë më parë madje ka shkuar ta takojë vetë nga afër në Çeki, e tashmë që alternativat në sulm janë minimaliste, Tuci vjen zyrtarisht në përfaqësuese.
24-vjeçari nga Lezha e Shqipërisë, shokë skuadre edhe me Qazim Laçin, por edhe me dy futbollistët “dardan”, Ermal Krasniqi dhe Albion Rrahmani, këtë edicion në elitën e futbollit çek me fanellën e Sparta Pragës, në 7 ndeshje ka regjistruar 3 gola dhe 1 asist.