Struga Truim në kuadër të javës së 7-të në Ligën e Parë do të përballet me ekipin Voska Sport nga Ohri. Këto ndeshje gjithnjë kanë zgjuar interesim mes futbolldashësve buzë liqenit, ndërsa ashtu pritet të jetë edhe nesër në stadiumin “Burimet e Biljanës” në Ohër.
Në prag të këtij takimi, nga tabori i skuadrës strugane ka folur sulmuesi Marjan Radeski.
“Respektojmë çdo skuadër, ashtu edhe Voska Sport, që ka një skuadër shumë të mirë. Një gjë të tilla ata dëshmuan edhe në ndeshjet e kaluara, mirëpo neve si Struga Trim Lum kemi qëllimet tona në këtë ndeshje. Nëse nuk japim maksimumin nesër, do ta kemi të vështirë, mirëpo mendoj se nga ndeshja e nesërme do të përmirësojmë qasjen tonë dhe do të bëjmë më të mirën për të nisur një seri të rezultateve pozitive.” – thotë Marjan Radeski, i cili nuk shqetësohet aspak, edhe përkundër startit jo të mirë të skuadrës në këtë fillim sezoni.
“Është vetëm fillimi i sezonit. Neve jemi një klub me shumë lojtarë të rinj, por edhe cilësor, ashtu që kjo skuadër do të tregoj rezultatet e duhura, rezultate të shkëlqyeshme. Mendoj se nuk ka hapësirë për panikë, është vetëm fillim, ka edhe shumë ndeshje për tu zhvilluar. Edhe neve jemi të vetëdijshëm se deri më tani punët nuk kanë shkuar ashtu si duhet, mirëpo sërish do e them, është vetëm fillimi. Në futboll jo çdoherë shkojnë ashtu siç i planifikon, mirëpo me punë të palodhshme dhe ekipore, fitoret dhe sukseset do të rikthehen.”
Pikërisht falë tij edicionin e kaluar Struga Trim Lum kishte mundur Voska Sportin në Ohër. Goli i tij i kishte mjaftuar skuadrës strugane për të marrë tre pikët e plota.
“Në ndeshjen e nesërme premtoj se do të jap maksimumin nga vetja për të ndihmuar skuadrën. Normalisht se si sulmues do të kërkoj atë gol, mirëpo para së gjithash do kem në konsideratë ekipin, pasi shumë më e rëndësishme në këto momente është fitorja e skuadrës dhe 3 pikët” – përfundoi Marjan Radeski, i cili nesër do të zhvillojë ndeshjen e tij të 310-të në kuadër të Ligës së Parë, aty ku numëron edhe plotë 81 gola.