Kombëtarja shqiptare ka mbyllur me sukses përgatitjet për ndeshjen e dytë në Grupin B1 të Ligës së Kombeve ndaj Gjeorgjisë. Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, në prag të sfidës me Gjeorgjinë, u shpreh se forca kryesore e ekipit janë tifozët “kuq e zi”.
Braziliani vlerësoi kundërshtarin, duke thënë se Gjeorgjia është një skuadër shumë e organizuar dhe me cilësi të larta teknike.
“Ky është një grup shumë i ekuilibruar dhe mund të ndodh çdo gjë. Gjeorgjia është një ekip shumë i organizuar dhe me cilësi të larta teknike. Të futen me forcën e duhur dhe të zotërojnë topin. Gjeorgjia e fortë, por ne jemi gati. Mendoj se do bëjmë një lojë shumë të bukur me ta.” – deklaroi trajneri i Shqipërisë, Sylvinho.
Për dallim nga Shqipëria, që sivjet luajti evropianin e dytë, Gjeorgjia këtë verë luajti për herë të parë në një Kampionat Europian, madje duke bërë senzacion, pasi arriti të kualifikohet në raundin e dytë, aty ku që në ndeshjen e parë u eliminua nga Spanja, kombëtare kjo që më pas u shpall edhe kampione e Europës.