Struga Trim Lum mundi ekipin përfaqësues të Maqedonisë U19 me shifrat 3:0 në ndeshjen që u zhvillua sot në stadiumin e qytetit në Strugë.
Në këtë ndeshje trajneri Qatip Osmani ju dha mundësinë edhe disa prej futbollistëve të rinj, siç janë mbrojtësi Ferat Sela, mesfushori Jusuf Kaba, por edhe atyre që kanë më pak minuta në këmbët e tyre gjatë ndeshjeve kampionale, duke zbritur në fushë me dy formacione të ndryshme.
Futbollistët e inkuadruar gjatë pjesës së parë edhe përkundër dominimit të plotë në fund shënuan vetëm një gol, edhe atë me anë të kapitenit Ard Kasami.
Në pjesën e dytë kampionët e vendit shënuan edhe dy gola të tjerë që erdhën përmes aksioneve të rrjedhshme, gjë kjo që në fund la të kënaqur edhe trajnerin Osmani.
Ishte japonezi Masaki Takahara që shënoi golin e dytë, derisa golin e tretë dhe të fundit në rrjetën e shpresave të futbollit vendor, e realizoi Marjan Radeski.
Kjo ndeshje erdhi si rezultat i pauzës në kampionat, për shkak paraqitjes së përfaqësueses futbollistike të vendit në ndeshjet e Ligës së Kombeve, me Struga Trim Lum që vazhdon përgatitjet për ndeshjen e xhiros së 5-të kundër Pelisterit në Manastir dhe përfaqësues U19 të Maqedonisë të udhëhequr nga Vujadin Stanojkoviç, që aktualisht ndodhen në një kamp stërvitor në Kërçovë. (infOSport.mk)